Një histori prekëse po bën xhiron e mediave sportive në Angli, teksa një tifoz i përjetshëm i Aston Villa vendosi të shesë unazën me diamant të babait të ndjerë vetëm për të realizuar ëndrrën e jetës – ta shohë skuadrën e zemrës në finalen europiane.
Scott Barnes, tifoz i Aston Villas prej shumë vitesh, nuk e kishte menduar kurrë se do të ndahej nga kujtimi më i çmuar familjar. Por kur skuadra angleze siguroi finalen e parë europiane që nga viti 1982, ai mori vendimin emocional për të sakrifikuar unazën e trashëguar nga babai i tij.
Barnes kishte dështuar fillimisht të siguronte një biletë për finalen, por më pas vendosi të bëjë gjithçka për të qenë në tribunat e Stambollit. Vetëm pasi partnerja ia kujtoi unazën e artë të zbukuruar me nëntë diamante, nisi plani për ta shitur.
Unaza ishte blerë nga babai i tij, John Barnes, në vitin 1988 dhe kishte vlerë të madhe sentimentale për familjen. Tifozi anglez vizitoi disa dyqane bizhuterish derisa arriti ta shiste bashkë me një orë dore për 550 funte.
Scott pranoi se shpërtheu në lot në momentin kur mori paratë, pasi kishte qenë shumë i lidhur me babanë e tij. Megjithatë, ai beson se edhe babai do ta mbështeste këtë vendim për ta parë nga afër ekipin e zemrës në një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së klubit.
Tifozi, i cili përballet edhe me probleme serioze shëndetësore, ka treguar se ndjek Aston Villan në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë fushe, ndërsa finalja europiane për të është një moment që nuk mund ta humbasë.
Historia e tij ka prekur shumë tifozë në Angli, ndërsa mediat britanike raportojnë se rrëfime të tilla po frymëzojnë edhe futbollistët e Aston Villas para finales së madhe.

