Një ngjarje e pazakontë ka tronditur futbollin anglez. Klubi i Southampton është përjashtuar zyrtarisht nga finalja e madhe e “play-off”-it në Championship, pasi u zbulua se kishte spiunuar dhe filmuar fshehurazi stërvitjet e kundërshtarëve.
Sipas raportimeve, Komisioni i Pavarur Disiplinor i EFL-së mori vendimin pasi u vërtetua se një anëtar i stafit teknik të Southampton kishte monitoruar seancat stërvitore të Oxford United dhe Ipswich Town, ndërsa gjithashtu kishte filmuar fshehurazi edhe stërvitjen e Middlesbrough para ndeshjes gjysmëfinale të 7 majit.
Klubi anglez ka pranuar shkeljen e rregullave, të cilat ndalojnë monitorimin apo filmimin e rivalëve brenda 72 orëve para përballjeve direkte. Ky skandal vjen në momentin më të rëndësishëm të sezonit, kur Southampton ishte vetëm një hap larg rikthimit në Premier League.
Raportohet se trajneri Tonda Eckert mund të përballet gjithashtu me pezullim, nëse shpallet fajtor për përfshirje në aktivitetin e spiunazhit sportiv.
Përveç përjashtimit nga finalja, Southampton është dënuar edhe me zbritje prej katër pikësh për sezonin e ardhshëm në Championship.
Pas këtij vendimi dramatik, Middlesbrough rikthehet në garë dhe do të luajë në finalen e Wembleyt kundër Hull City për një vend në Premier League.

