Mike Vrabel ka lënë të kuptohet se martesa e tij me bashkëshorten Jen Vrabel vazhdon ende, pavarësisht skandalit të madh që shpërtheu muajin e kaluar lidhur me një lidhje të përfolur me gazetaren sportive Dianna Russini.
Trajneri i New England Patriots u përfshi në qendër të thashethemeve pas publikimit të disa fotografive ku ai dhe Russini shfaqeshin shumë të afërt ndër vite, përfshirë udhëtime private me anije, dalje në bar dhe festa të Super Bowl-it. Megjithatë, të dy i kanë mohuar kategorikisht akuzat për tradhti.
Sipas raportimeve në SHBA, marrëdhënia e tyre ka qenë prej kohësh temë diskutimi brenda qarqeve të NFL-së, ndërsa mediat rozë vazhdojnë ta mbajnë çështjen në fokus.
Mes gjithë zhurmës mediatike, Vrabel foli shkurtimisht gjatë një konference për shtyp kur u pyet për balancën mes futbollit dhe jetës familjare.
“Gjërat po shkojnë shumë mirë. E vlerësoj familjen time. E dua Jenin, i dua djemtë dhe miqtë e mi personalë”, deklaroi ai.
Kjo deklaratë është interpretuar nga mediat amerikane si një sinjal i qartë se çifti nuk është ndarë, të paktën për momentin. Edhe Jen Vrabel është parë së fundmi me unazën e martesës, duke shtuar bindjen se marrëdhënia vazhdon.
Ndërkohë, edhe Dianna Russini raportohet se vazhdon të jetë pranë bashkëshortit të saj Kevin Goldschmidt. Çifti është parë së bashku në publik gjatë Ditës së Nënës dhe në dalje të ndryshme në New York.
Pavarësisht spekulimeve të shumta, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një aferë mes Vrabel dhe Russini, ndërsa historia vazhdon të dominojë mediat sportive dhe rozë në SHBA.

