Gjykata e Peruxhias ka dhënë vendimin në shkallë të parë për rastin e njohur si “provimi farsë” i futbollistit Luis Suarez, duke dënuar tre ish-zyrtarë të Universitetit për të Huaj të Peruxhias.
Ish-rektorja Xhuliana Grego Boli, ish-drejtori i përgjithshëm Simone Olivieri dhe ish-drejtoresha e Qendrës së Vlerësimit dhe Certifikimeve Gjuhësore, Stefania Spina, janë dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, me pezullim të dënimit.
Rasti lidhet me provimin e gjuhës italiane që Suarez zhvilloi në shtator të vitit 2020, i cili ishte i nevojshëm për marrjen e shtetësisë italiane dhe për t’u regjistruar si lojtar “komunitar” te Juventusi.
Sipas hetimeve, provimi ishte manipuluar paraprakisht, duke i dhënë avantazh futbollistit në mënyrë që të kalonte testin, çka solli një valë reagimesh dhe hetimesh në Itali.
Megjithatë, të pandehurit janë shpallur të pafajshëm për akuzën e falsifikimit ideologjik, ndërsa janë dënuar për zbulim të informacioneve sekrete.
Përveç dënimit penal, gjykata ka vendosur që të pandehurit të dëmshpërblejnë Universitetin për të Huaj të Peruxhias, i cili ishte palë civile në proces, me një shumë prej 100 mijë eurosh.
Ky rast pati jehonë të madhe ndërkombëtare në kohën kur shpërtheu, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procedurave dhe duke ndikuar edhe në dështimin e transferimit të Suarez te Juventusi.

