Juventusi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së Kenan Yildiz deri në vitin 2030, një lëvizje që ka shkaktuar entuziazëm të madh te trajneri Luciano Spalletti. Tekniku italian e ka cilësuar këtë si “një ditë shumë të rëndësishme për të ardhmen e klubit”, duke theksuar ndikimin e menjëhershëm që 20-vjeçari ka tashmë në projektin bardhezi.
Spalletti nuk i ka kursyer vlerësimet për talentin turk, të cilin e quajti me admirim “një alien” në kuptimin më pozitiv:
“Yildiz është diçka e veçantë. Ai krijon avantazh në çdo moment dhe i jep skuadrës një shkëndijë për të ndërtuar diçka të rëndësishme. Personaliteti dhe sjellja e tij brenda grupit e bëjnë edhe më të vlefshëm.”
Kontrata e re e bën Yildizin një nga lojtarët më të paguar të Juventusit, me rreth 6 milionë euro neto në sezon, trefish më shumë se marrëveshja e mëparshme, me opsion zgjatjeje deri në vitin 2031.
Pas përvojave të komplikuara me rinovimet e talenteve në të kaluarën, marrëveshja me Yildiz shihet si një sinjal i fortë besimi nga drejtuesit e Juventusit dhe një investim strategjik për të ardhmen e klubit, i cili tani ndërton projektin e tij rreth një nga yjet e rinj më premtues të Europës.

