Galatasaray ka dhuruar një paraqitje spektakolare në mbrëmjen evropiane, duke e mposhtur Juventusin me rezultat bindës 5-2 në kuadër të Ligës së Kampionëve. Skuadra turke ka hedhur një hap gjigant drejt kualifikimit në fazën e 1/8-tave, pas një ndeshjeje ku dominoi në intensitet, efikasitet dhe organizim taktik.
Vendasit e nisën takimin me ritëm të lartë dhe e gjetën shpejt rrugën e golit, duke vënë në vështirësi të mëdha mbrojtjen e “Zonjës së Vjetër”. Protagonist i mbrëmjes ishte Noa Lang, i cili realizoi dy gola, ndërsa në listën e realizatorëve u shtuan edhe Sanchez, Sara dhe Boey. Çdo gabim i Juventusit u ndëshkua pa mëshirë nga skuadra turke, e cila shfaqi uri dhe vendosmëri në çdo repart.
Nga ana tjetër, Juventusi tentoi të reagojë, por dy golat e Koopmeiners rezultuan të pamjaftueshëm për të shmangur humbjen e thellë. Italianët hasën vështirësi të mëdha në ndaljen e sulmeve të shpejta të Galatasarayt dhe shpesh u kapën të papërgatitur në tranzicion.
Në këtë sfidë nuk pati minuta për yllin kosovar Edon Zhegrova, i cili mbeti në stol me vendim të trajnerit Luciano Spalletti.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Allianz Stadium”, ku Juventusi do të kërkojë një mrekulli për të përmbysur disavantazhin e trefishtë. Megjithatë, me avantazhin e krijuar dhe formën aktuale, Galatasaray duket shumë pranë sigurimit të një bilete për fazën tjetër të kompeticionit më elitar evropian.

