Real Madridi është afruar në vetëm një pikë me Barcelonën në garën për titullin në La Liga që nga momenti kur Álvaro Arbeloa mori drejtimin e skuadrës. Ish-trajneri i Castillas ka regjistruar katër fitore radhazi në kampionat, por pavarësisht rezultateve, vlerësimet për punën e tij nuk kanë qenë plotësisht pozitive.
Përtej formës në La Liga, paraqitjet e “Los Blancos” kanë qenë të paqëndrueshme. Mes ndeshjeve të kampionatit, Reali ka pësuar humbje ndaj Albacetes në Copa del Rey dhe Benficës në Ligën e Kampionëve, rezultate që kanë ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Arbeloas për të sjellë përmirësimin e kërkuar në “Santiago Bernabeu”.
Një nga arsyet që çoi në largimin e paraardhësit të tij, Xabi Alonso, ishte marrëdhënia e ndërlikuar me disa prej yjeve të skuadrës, ndonëse trajneri bask gëzonte mbështetje nga një pjesë e dhomës së zhveshjes. Sipas raportimeve të “Cadena Cope”, superylli i Real Madridit, Kylian Mbappé, ishte më i kënaqur nën drejtimin e Alonsos sesa me Arbeloan.
Kjo u reflektua edhe në deklaratat e Mbappés një javë pas shkarkimit të Alonsos, ku sulmuesi francez e mbrojti publikisht ish-trajnerin, duke theksuar se ai “nuk kishte dështuar” te Real Madridi dhe se në të ardhmen do të ishte “një trajner fantastik”.
Megjithatë, Mbappé nuk duket se përfaqëson mendimin e shumicës. Raportet e javëve të fundit sugjerojnë se ardhja e Arbeloas ka ulur tensionin në qendrën stërvitore dhe ka përmirësuar ndjeshëm atmosferën brenda ekipit. Trajneri i ri është treguar i shpejtë në mbrojtjen e lojtarëve të tij, përfshirë edhe Vinicius Junior.
Pavarësisht kësaj, Arbeloa ende nuk ka arritur t’i bindë plotësisht lojtarët se është zgjidhja afatgjatë për klubin. Disa nga udhëzimet e tij taktike nuk po i frymëzojnë sa duhet futbollistët, ndërsa faza e përshtatjes duket se po reflektohet edhe në performancat në fushë.

