Drejtori sportiv i AC Milan, Igli Tare, ka komentuar situatën aktuale te skuadra kuqezi, duke folur për objektivat e sezonit, spekulimet e merkatos dhe të ardhmen e mesfushorit veteran Luka Modrić.
Në një prononcim për DAZN, Tare minimizoi zërat që e lidhin Milanin me një lëvizje të mundshme për sulmuesin e Fiorentina, Moise Kean, duke theksuar se fokusi i klubit mbetet te ndeshjet e sezonit aktual.
“Për momentin nuk ka kuptim të flasim për transferime. Këto janë tema që do të diskutohen në muajt e ardhshëm. Prioriteti ynë është ndeshja dhe stabiliteti i skuadrës pas derbit”, u shpreh ai.
Milani vjen në këtë fazë të kampionatit me moral të lartë pas fitores në Derby della Madonnina, ndërsa rezultatet e rivalëve kanë rihapur pjesërisht garën për titull në Serie A.
Tare beson se një fitore në përballjen e radhës ndaj Lazio mund ta afrojë Milanin më pranë kreut të tabelës.
“Duhet të mendojmë vetëm për veten dhe të përpiqemi të fitojmë. Diferenca është ende e konsiderueshme, por një rezultat pozitiv do ta ngushtonte. Sezoni është i gjatë dhe shpesh sjell surpriza”, theksoi drejtori kuqezi.
Ndeshja do të zhvillohet në Stadio Olimpico, një ambient që Tare e njeh mirë nga periudha e tij si lojtar dhe drejtues te Lazio. Ai gjithashtu përshëndeti rikthimin e tifozëve në tribuna pas pezullimit të bojkotit nga ultrasit vendas.
“Futbolli është më i bukur kur stadiumet janë plot. Lazio mbetet një skuadër e rrezikshme dhe mund të mposhtë këdo në ditën e duhur”, shtoi ai.
Sa i përket situatës së skuadrës, Milani do të ketë disa mungesa për shkak të pezullimeve dhe lëndimeve, çka mund t’i japë më shumë hapësirë në mesfushë lojtarëve si Ardon Jashari, i cili pritet të luajë përkrah veteranit Modrić.
Pikërisht për kroatin, Tare u shpreh optimist lidhur me të ardhmen e tij te klubi.
“Një gjë është e sigurt: Luka e do Milanin dhe Milani e do Lukën. Ne kemi opsion për ta zgjatur kontratën, por vendimi i fundit i takon atij. Ai po e shijon shumë këtë eksperiencë dhe do të ketë gjithë kohën e nevojshme për të vendosur”, përfundoi drejtori sportiv i kuqezinjve.

