Tenisi ishte në qendër të vëmendjes në mbrëmjen gala të çmimeve prestigjioze Laureus World Sports Awards, të mbajtura në Madrid, ku u kurorëzuan sportistët më të mirë të vitit në nivel global.
Spanjolli Carlos Alcaraz u shpall “Atleti i Vitit”, duke konfirmuar dominimin e tij pas një sezoni të jashtëzakonshëm në vitin 2025. Ai fitoi dy tituj Grand Slam, Roland Garros dhe US Open, si dhe arriti në finalen e Wimbledon, duke u bërë një nga emrat më të mëdhenj të momentit në tenis.
Në konkurrencën e femrave, çmimi “Sportistja e Vitit” i takoi bjelloruses Aryna Sabalenka, e cila zhvilloi një sezon dominues duke ruajtur vendin e parë në renditjen botërore dhe duke triumfuar në turne madhore, përfshirë US Open.
Mbrëmja gala, e njohur ndryshe si “Oscarët” e sportit, mblodhi emra të mëdhenj të sportit botëror në kryeqytetin spanjoll.
Në kategoritë e tjera, klubi francez PSG u shpall “Ekipi i Vitit”, ndërsa talenti i ri Lamine Yamal fitoi çmimin për futbollistin më të mirë. Ndërkohë, Lando Norris u vlerësua për progresin më të madh në Formula 1, ndërsa Rory McIlroy fitoi çmimin “Rikthimi i Vitit”.
Vlerësime të veçanta pati edhe për Toni Kroos për frymëzim sportiv, ndërsa braziliani Gabriel Araujo u nderua si sportisti më i mirë me aftësi të kufizuara në botë.

