Tirana ka kryer një lëvizje të rëndësishme në merkato vetëm pak ditë para derbit të madh të kryeqytetit ndaj Partizanit. Rijad Kobiljar pritet të jetë përforcimi më i ri i bardhebluve për pjesën e mbetur të sezonit.
Klubi dhe mesfushori 29-vjeçar kanë arritur marrëveshje për transferimin e tij në kryeqytet, ndërsa në orët në vazhdim pritet vetëm zyrtarizimi i këtij afrimi. Kobiljar do të shtojë konkurrencën dhe cilësinë në mesfushën e Tiranës, në një moment shumë delikat të sezonit.
Futbollisti nga Bosnje dhe Hercegovina ka një karrierë të pasur, ku ka luajtur për disa skuadra në vendlindje, si dhe ka pasur eksperienca edhe jashtë Bosnjës. Aventura e tij e fundit ishte në Turqi, te skuadra e Sakaryaspor.
Ky përforcim vjen në prag të derbit të tretë të sezonit mes Tiranës dhe Partizanit në Superiore. Përballja do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:30, dhe është e vlefshme për javën e 24-të të kampionatit.

