Vincent Kompany po shndërrohet në një nga historitë më të veçanta të këtij sezoni në futbollin europian. Trajneri belg ka arritur ta dërgojë Bayern Munich në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke ndryshuar plotësisht perceptimin për të brenda pak muajsh.
Pas triumfit të madh ndaj Real Madridit, Bayerni siguroi një vend mes katër më të mirëve në Europë, ku tashmë e pret një përballje e fortë ndaj PSG-së. Për Kompanyn, kjo është një arritje që e vendos atë përkrah emrave legjendarë që kanë drejtuar klubin bavarez ndër vite.
Fillimi i aventurës së tij nuk ishte aspak i lehtë. I emëruar në verën e vitit 2024, Kompany u konsiderua si një zgjedhje e rrezikshme, madje e minutës së fundit, pas refuzimeve të disa trajnerëve të njohur. Skepticizmi ishte i madh, sidomos duke marrë parasysh eksperiencën e kufizuar dhe sezonin e vështirë me Burnleyn.
Edhe emra të mëdhenj të futbollit, përfshirë Gary Lineker, kishin shprehur dyshime për aftësitë e tij, duke e cilësuar si një bast të rrezikshëm për një klub si Bayerni.
Megjithatë, drejtuesit e klubit i qëndruan besnikë vendimit të tyre. Uli Hoeness pranoi se fillimisht kishte skepticizëm brenda bordit, por ideja për ta sjellë Kompanyn u mbështet fuqishëm nga drejtori sportiv Max Eberl.
Rezultatet nuk vonuan. Bayerni jo vetëm që ka rikthyer dominimin në Bundesligë, por edhe në Europë po shfaq një formë mbresëlënëse, me statistika të jashtëzakonshme në sulm dhe një lojë që ka rikthyer entuziazmin te tifozët.
Një nga ndryshimet më të mëdha që ka sjellë Kompany është atmosfera brenda ekipit. Ai ka krijuar një grup të bashkuar, ka rikthyer vetëbesimin dhe ka sjellë një qetësi që mungonte më parë. Në të njëjtën kohë, nuk ka hezituar të marrë vendime të forta për formacionin, duke treguar autoritet të plotë.
Përtej fushës, Kompany është vlerësuar edhe për qëndrimet e tij, sidomos për reagimin e fortë kundër racizmit në futboll, që ka marrë vëmendje të madhe në opinionin publik.
Sot, ai nuk shihet më si një eksperiment, por si një nga arkitektët kryesorë të rikthimit të Bayernit në elitën europiane. Dhe me gjysmëfinalen përpara, historia e tij është ende duke u shkruar.

