Presidenti i FC Drita, Valon Murseli, ka folur pas shortit të UEFA Conference League, duke ndarë emocionet dhe pritshmëritë e klubit për këtë edicion evropian.
Në lidhje me rivalin e ri, Celje, Murseli u shpreh: “Jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Kemi luajtur njëherë ndaj AZ Alkmaarit dhe tani do të përballemi me një ekip me të cilin nuk kemi luajtur më parë, si Celje.Do të jetë një përvojë e re dhe e rëndësishme për ne.”
Në pyetjen se sa larg mund të shkojë Drita në këtë edicion, ai tha: “Ne kemi punuar shumë që të jemi këtu dhe tani sa larg shkojmë nuk varet vetëm nga lojtarët apo vizioni ynë. Synimi ynë është finalja, por jemi një ekip i vogël dhe gjasat nuk janë shumë të mëdha. Po fitojmë përvojë dhe pas rreth 7 vitesh mund të diskutojmë përsëri nëse mund të arrijmë finalen.”
Rreth rëndësisë së pjesëmarrjes në Conference League, Murseli theksoi: “Do të investojmë shumë në infrastrukturë. Po mësojmë shumë nga kjo përvojë evropiane. Është diçka shumë e madhe për ne, pasi në fillim nuk e kishim idenë se si do të shkonin këta muaj, por do të vazhdojmë të mësojmë dhe të përmirësohemi.”
Kjo pjesëmarrje evropiane shënon një kapitull të rëndësishëm për FC Drita, duke i dhënë klubit mundësinë të forcojë eksperiencën dhe profilin në arenën ndërkombëtare.

