Situata e Vinicius Junior te Real Madridi ka njohur një kthesë të fortë në muajt e fundit. Për një periudhë të gjatë, sulmuesi brazilian kishte një marrëdhënie të tensionuar me ish-trajnerin Xabi Alonso, e cila u shoqërua me mungesë mbështetjeje publike dhe me vendime që kufizonin rolin e tij në fushë.
Gjatë asaj faze, Vinicius shpesh e niste ndeshjen nga stoli, zëvendësohej herët në takime të rëndësishme ose nuk arrinte të shprehte potencialin e tij të plotë, duke krijuar një distancë të dukshme mes tij dhe trajnerit. Kulmi i kësaj përplasjeje erdhi në El Clasicon e sezonit të kaluar, kur braziliani u zëvendësua dhe reagoi hapur në vijën anësore, duke bërë të qartë pakënaqësinë ndaj Alonsos.
Megjithatë, pas largimit të këtij të fundit, panorama ka ndryshuar ndjeshëm. Me ardhjen e trajnerit të ri, Álvaro Arbeloa, Vinicius ka rifituar besimin dhe rolin kryesor në skuadër. Sipas një raportimi nga “AS”, i cituar nga “Madrid Xtra”, Arbeloa i beson plotësisht sulmuesit brazilian dhe e konsideron atë një nga shtyllat kryesore të projektit të tij sportiv.
Nën drejtimin e Arbeloas, Vinicius pritet të ketë më shumë liri në lojë dhe një rol vendimtar në skemat ofensivë të Real Madridit, duke synuar të rikthehet në nivelin më të lartë dhe të udhëheqë skuadrën drejt objektivave madhorë të sezonit.

