Wolverhamptoni i ka dhënë një surprizë të madhe Premierligës, duke mposhtur Liverpoolin 2-1 në “Molineux” dhe duke regjistruar dy fitore radhazi në shtëpi për herë të parë që nga prilli i vitit 2025. Goli vendimtar erdhi në sekondat e fundit, me një devijim të Andreas që vulosi suksesin e skuadrës.
Ndeshja nisi me dominim të “The Reds”, me Cody Gakpo që provoi rrezikun nga distanca dhe Jeremie Frimpong që humbi një mundësi pas një aksioni të bukur të Hugo Ekitikés. Megjithatë, pjesa e parë u karakterizua nga raste të pakta konkrete për të dy ekipet.
Pas pushimit, Liverpool kërkoi penallti për një prekje me dorë, por gjyqtari lejoi lojën të vazhdonte. Mohamed Salah u afrua pranë golit nga një goditje këndi, por topi përfundoi në traversë. Surpriza erdhi në minutën e 78-të, kur Tolu Arokodare fitoi duelin me Virgil van Dijk dhe asistoi për Rodrigo Gomes, i cili dërgoi topin mbi Alissonin për të kaluar Wolvesin në avantazh 1-0.
Liverpool reagoi shpejt dhe barazoi me golin e Salah, i cili shfrytëzoi një gabim në mbrojtje, duke shënuar golin e tij të parë në kampionat që nga nëntori. Por dramatikën e ndeshjes e vendosi Wolvesi në kohën shtesë. Goditja e Andrés u devijua nga Joe Gomez dhe përfundoi në rrjetë, duke i dhënë skuadrës fitoren 2-1 në një përfundim spektakolar.
Edhe pse Wolvesi mbetet 11 pikë larg zonës së rrezikut, kjo fitore ngre moralin dhe mban shpresat për mbijetesë gjallë. Nga ana tjetër, Liverpool humbi një mundësi të artë për të forcuar pozitat në garën për Ligën e Kampionëve.

