Futbolli spanjoll ndalon sonte në King Abdullah Sports City Stadium në Jeddah të Arabisë Saudite, ku Barcelona dhe Real Madrid përballen në finalen e Superkupës së Spanjës, në El Clásico-n e parë të vitit 2026.
Të dy gjigantët spanjollë vijnë në këtë finale në formë shumë të mirë. Barcelona ka regjistruar 9 fitore radhazi në të gjitha garat, duke siguruar finalen pas fitores bindëse 5-0 ndaj Athletic Club në gjysmëfinale. Ndërkohë, Real Madridi ka një seri prej 5 fitoresh radhazi, pasi eliminoi Atlético Madridin me rezultatin 2-1.
Kjo është përballja e dytë mes Barcelonës dhe Real Madridit këtë sezon, pas suksesit 2-1 të madrilenëve në “Santiago Bernabéu” në kuadër të LaLiga-s. Rivaliteti historik mbetet tepër i balancuar: në 262 ndeshje zyrtare, Real Madridi numëron 106 fitore, Barcelona 104, ndërsa 52 takime kanë përfunduar në barazim.
Finalja e sotme nuk është vetëm një betejë për trofeun e Superkupës, por edhe një tjetër kapitull i madh në historinë e El Clásico-s, ku përveç titullit, në lojë është edhe prestigji.

