Arsenali është shpallur zyrtarisht kampion i Premier League për sezonin 2025/26, duke i dhënë fund pritjes së gjatë prej 22 vitesh pa titull në elitën e futbollit anglez. “Topçinjtë” rikthehen në fron pas më shumë se 8 mijë ditësh, në një sezon që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve londinezë.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta siguroi matematikisht titullin pas barazimit 1-1 të Manchester City ndaj Bournemouthit, rezultat që i hapi rrugën festës së madhe në Londër. Menjëherë pas konfirmimit të titullit, Arsenali reagoi edhe në rrjetet sociale me postimin simbolik: “Arsenal. Kampionët tuaj të Premier League”.
Ky sukses konsiderohet historik për klubin londinez, pasi gjenerata të tëra tifozësh kishin pritur rikthimin në majën e futbollit anglez. Hera e fundit kur Arsenali kishte ngritur trofeun e Premier League ishte sezoni legjendar i “Invincibles” në vitin 2004.
Nën drejtimin e Artetës, Arsenali ndërtoi një skuadër të fortë dhe spektakolare, duke dominuar pjesën më të madhe të sezonit me futboll ofensiv dhe stabilitet në rezultate. Investimet e mëdha të klubit dhe projekti afatgjatë më në fund dhanë frytet e shumëpritura.
Festimet kanë shpërthyer në Londër dhe në mesin e miliona tifozëve anembanë botës, teksa Arsenali rikthehet aty ku tifozët besojnë se i takon – në majën e Premier League.

