Ish-sulmuesi i Kombëtares së Anglisë, Raheem Sterling, është arrestuar nga policia në Hampshire pas një aksidenti të ndodhur në autostradën M3, ku makina e tij tip “Lamborghini” u përplas me barrierat anësore të rrugës.

Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 09:00 të mëngjesit. Fatmirësisht nga aksidenti nuk pati persona të lënduar dhe nuk u përfshinë automjete të tjera.
Policia e Hampshire ka konfirmuar se 31-vjeçari dyshohet për drejtim të rrezikshëm të automjetit nën ndikimin e lëndëve narkotike, posedim të substancave të “Klasit C”, si dhe refuzim të testit të drogës në vendngjarje.
Në mesin e substancave të përmendura nga autoritetet përfshihen steroidet anabolike, benzodiazepinat dhe oksidi i azotit.
Sterling, i cili aktualisht është pjesë e Feyenoordit pas transferimit nga Chelsea në muajin shkurt, është liruar me garanci ligjore, ndërsa hetimet ndaj tij vazhdojnë.
Deri tani, as përfaqësuesit e futbollistit dhe as klubi holandez nuk kanë dhënë deklaratë zyrtare lidhur me incidentin.

