Parisi ka festuar me madhështi triumfin e Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve. Skuadra franceze u kthye nga Budapesti me titullin e dytë radhazi evropian, ndërsa festimet në kryeqytetin francez u shtrinë nga Champ de Mars, Champs-Élysées e deri në Parc des Princes.
Tifozët mbushën rrugët e Parisit me fanella të PSG-së dhe flamuj me mbishkrimin “Back 2 back”, në nder të suksesit historik të skuadrës që konfirmoi dominimin në futbollin evropian.
Ousmane Dembélé, një nga protagonistët e finales në “Puskás Aréna”, premtoi se PSG nuk do të ndalet me kaq. “Do të kthehemi vitin tjetër me të tretin”, deklaroi ai gjatë festimeve.
Presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaïfi, falënderoi lojtarët, trajnerin, stafin dhe tifozët, duke kërkuar që festa të zhvillohej në paqe. Ai theksoi se PSG tashmë mban dy yje në fanellë, si simbol i dy titujve të fituar në Ligën e Kampionëve.
Skuadra u prit edhe në Pallatin Elysee nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e cilësoi PSG-në si ekipin më të mirë në Evropë. Sipas tij, kampionët francezë treguan unitet, karakter dhe qetësi deri në sekondat e fundit të finales.
Festimet u mbyllën në Parc des Princes, ku morën pjesë edhe disa ish-lojtarë të klubit, përfshirë Javier Pastore, Guillaume Hoarau, Bernard Mendy, Clément Chantôme dhe Fabrice Pancrate. PSG e mbylli sezonin si kampione e Evropës dhe me statusin e skuadrës më dominuese të momentit në futbollin kontinental.

