Kombëtarja e Anglisë e ka nisur me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Kroacinë me rezultatin 4:2 në ndeshjen e zhvilluar në Arlington të Teksasit.
“Tre Luanët” hasën në vështirësi gjatë pjesës së parë, edhe pse kaluan dy herë në epërsi. Harry Kane ishte protagonisti kryesor për anglezët, duke realizuar dy gola, njëri prej tyre nga pika e bardhë.
Kroacia reagoi në të dy rastet, me Martin Baturinën dhe Petar Musën që rikthyen baraspeshën para pushimit.
Në pjesën e dytë, Anglia tregoi më shumë cilësi. Jude Bellingham riktheu epërsinë menjëherë pas fillimit të fraksionit të dytë, ndërsa Marcus Rashford vulosi fitoren në minutën e 85-të.
Ky ishte edhe një rikujtim i përballjes së famshme mes dy kombëtareve në gjysmëfinalen e Botërorit 2018, kur Kroacia triumfoi pas vazhdimeve dhe siguroi finalen historike. Këtë herë, Anglia mori revanshin dhe e nisi me tre pikë aventurën në Grupin L.

