Bashkimi ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale pas një fitoreje të vështirë në transfertë ndaj Pejës, me rezultat të ngushtë 70-73 (22-20, 17-22, 11-12, 20-19).
Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët e mbyllën çerekun e parë me dy pikë epërsi. Megjithatë, skuadra prizrenase reagoi në çerekun e dytë, duke përmbysur rezultatin dhe duke shkuar në pushim me tri pikë avantazh.
Çereku i tretë ishte mjaft i baraspeshuar, me Bashkimin që arriti ta ruajë epërsinë minimale (11-12). Edhe në periodën e fundit, Peja tentoi përmbysjen, por pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti të thyejë rezistencën e mysafirëve, me këtë çerek që u mbyll 20-19 në favor të vendasve.
Në minutën e fundit të takimit, ndeshja u ndërpre për disa minuta për shkak të pakënaqësive të tifozëve të Pejës, të cilët hodhën gjësende në parket. Në shenjë proteste, tifozët vendas gjuajtën mjete tymosëse dhe drejtuan fyerje ndaj kryesisë së klubit pejan.
Sa i përket individëve, më i dalluari te Bashkimi ishte Lake me 17 pikë, i ndihmuar nga Armstead me 13 pikë. Ndërsa te Peja, lojtari më efikas ishte Flatten, gjithashtu me 17 pikë.

