Ndeshja e Kupës së Turqisë mes Galatasarayt dhe Istanbulsporit është ndërprerë për shkak të një incidenti të rëndë që ndodhi gjatë lojës, pas një përplasjeje të fortë mes dy futbollistëve.
Gjatë një dueli ajror, sulmuesi i Galatasarayt, Ahmet Kutucu, u përplas me kokë me portierin e Istanbulsporit, Isa Dogan, i cili kishte dalë për të grushtuar topin.
Përplasja ishte tejet e fortë, duke bërë që të dy lojtarët të rrëzohen pa ndjenja në fushë, situatë që alarmoi menjëherë futbollistët dhe stafet teknike të të dy skuadrave. Ambulanca hyri menjëherë në fushë, ndërsa portieri i Istanbulsporit u transportua me urgjencë në spital për ekzaminime të mëtejshme.
Kutucu, pasi u përmend në fushë, u shoqërua fillimisht në pankinë, por më pas edhe ai u dërgua në spital për kontrolle shtesë. Sipas informacioneve të para mjekësore, Isa Dogan ka pësuar një frakturë në kockat e mollëzës së faqes, ndërsa pritet konfirmimi i rezultateve të ekzaminimeve për gjendjen shëndetësore të Kutucut.
Autoritetet dhe klubet pritet të japin informacione të reja në orët në vijim.
VIDEO

