Përfaqësuesja e Kosovës në Goalball do të marrë pjesë këtë fundjavë në turneun prestigjioz “Malmö Open”, i cili zhvillohet në Malmo të Suedisë.
Për këtë turne, trajneri Anton Prekaj ka ftuar këta lojtarë: Bujar Musliu, Fatlum Elshani, Pajtim Deliu, Rinor Ymeri dhe Shqipron Kuliqi, një ekip me shumë përvojë dhe suksese në arenën vendore dhe ndërkombëtare.

Në pjesëmarrjen e fundit në këtë turne, në vitin 2023, Kosova u rendit në vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendtë, ndërsa njëkohësisht u shpërlbyen edhe me çmimin individual për golashënuesin më të mirë të turneut.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 10 skuadra.
Ndryshe Goalball është një sport ekipor i krijuar posaçërisht për persona me dëmtim të shikimit dhe është pjesë e programit Paralimpik. Loja zhvillohet mes dy skuadrave me nga tre lojtarë në fushë, ndërsa qëllimi kryesor është të shënohen gola duke e hedhur topin në portën e kundërshtarit.
Topi i goalball-it ka zile brenda, gjë që u mundëson lojtarëve ta lokalizojnë atë përmes dëgjimit. Për këtë arsye, gjatë lojës kërkohet qetësi e plotë në palestër.

