Kombëtarja e Kosovës U19 ka nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikuese që do të zhvillohen në fund të muajit mars në Turqi. Në krye të shtabit teknik është përzgjedhësi Albert Bunjaku, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij po punon për të ndërtuar një skuadër sa më të organizuar dhe konkurruese para sfidave vendimtare.
Fokusi i stafit teknik është në rritjen e disiplinës taktike, harmonizimin e repartëve dhe forcimin e frymës së grupit. Seancat stërvitore po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa brenda ekipit mbizotëron një atmosferë pozitive dhe përkushtim maksimal.

Duke folur për rëndësinë e këtij grumbullimi, përzgjedhësi Bunjaku theksoi:
“Ky kamp është shumë i rëndësishëm për mua, për t’i parë lojtarët nga afër në fushë dhe për t’i njohur më mirë personalisht. Qëllimi është të formojmë një grup kompakt për ndeshjet kualifikuese që po afrohen. Do të zhvillojmë sa më shumë lojëra ndërmjet vete, 11 kundër 11 apo 10 kundër 10, për të parë si përshtaten lojtarët me filozofinë time të lojës.” – tha selektori i Kosovës U19
Kosova U19 do të përballet me Turqinë, Armeninë dhe Gjibraltarin, ndeshje që do të jenë vendimtare për ecurinë e ekipit në këtë cikël kualifikues. Objektivi i Dardanëve të rinj mbetet paraqitja sa më e mirë dhe sigurimi i rezultateve pozitive në arenën ndërkombëtare.


