Ernest Muçi është shndërruar në një nga emrat më të përfolur të futbollit shqiptar dhe turk. Sulmuesi i Kombëtares po kalon një formë të jashtëzakonshme te Trabzonspor, ku me paraqitjet e tij ka marrë statusin e liderit dhe “fenomenit” brenda skuadrës.
24-vjeçari ka regjistruar shifra mbresëlënëse: 12 gola dhe 2 asistime në 21 ndeshje, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë të gjigantëve turq këtë sezon. Forma e tij ka bërë jehonë të madhe edhe jashtë fushës, teksa së fundmi po qarkullon masivisht një video nga dhomat e zhveshjes së Trabzonsporit, ku bashkëlojtarët i këndojnë Muçit, një tregues i qartë i rolit dhe respektit që ai ka fituar në ekip.
Megjithatë, pavarësisht këtyre paraqitjeve dhe statistikave që flasin vetë, ende mbetet e paqartë nëse trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, do ta grumbullojë Muçin për ndeshjen vendimtare ndaj Polonisë, në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës.
Edhe në rast se ftesa vjen, dilemat nuk përfundojnë aty. Nuk ka ende siguri nëse Muçi do të ketë rol titullari apo do të nisë nga stoli, duke shtuar presionin mbi stafin teknik të Kombëtares për vendimet që do të marrë.
Vlen të theksohet se paraqitja e fundit e Ernest Muçit me fanellën kuqezi daton më 10 qershor 2025, çka e bën edhe më të fortë debatin rreth mungesës së tij në Kombëtare, në raport me formën që po kalon aktualisht në nivel klubi.
Me shpatulla pas muri nga realiteti i fushës dhe statistikat, Sylvinho tashmë përballet me një vendim që vështirë se mund të anashkalohet. Ernest Muçi është kthyer në “hit” te Trabzonspor — dhe po kërkon të njëjtin status edhe me Shqipërinë.

