Albion Rrahmani është rikthyer në fushën e lojës me Sparta e Pragës pas mungesës në ndeshjen e kaluar.
Sulmuesi kosovar mori minuta në fitoren bindëse 5-2 që Sparta e Pragës arriti ndaj Slovácko, në kuadër të javës së 26-të të elitës së futbollit çek.
Rrahmani u aktivizua në minutën e 72-të, duke treguar se është rikuperuar dhe është gati të ndihmojë sërish ekipin e tij. Edhe pse nuk arriti të regjistrojë gol apo asist zyrtar, ai ishte shumë pranë një kontributi të drejtpërdrejtë në rezultat.
Në minutën e 79-të, një aksion i Spartës përfundoi në rrjetë pas një pasimi të Rrahmanit, por goli u anulua nga arbitri.

Skuadra nga Praga kishte vendosur bazat e fitores që në pjesën e parë, duke realizuar dy gola, ndërsa në pjesën e dytë shtoi edhe tre të tjerë për ta vulosur triumfin bindës.
Minutat e marra nga Rrahmani janë një sinjal shumë inkurajues edhe për Kosovën, pasi sulmuesi pritet të jetë një nga armët kryesore të ekipit në ndeshjet e muajit mars.
Pas kësaj fitoreje, Sparta e Pragës vazhdon të mbajë vendin e dytë në tabelë me 54 pikë, ndërsa kryesimin e kampionatit e mban Slavia e Pragës me 64 pikë.

