Topi i famshëm me yje i Ligës së Kampionëve, një nga simbolet më të njohura të futbollit modern, pritet shumë shpejt të bëhet pjesë e historisë, duke shënuar fundin e një epoke të gjatë në arenën europiane.
Finalja e vitit 2027 do të jetë e fundit që do të luhet me topin klasik të dizajnuar nga Adidas, i cili ka qenë pjesë e kësaj gare që nga viti 2001.
Nga sezoni 2027/28, të drejtat për prodhimin e topit zyrtar të Ligës së Kampionëve do të kalojnë te Nike. Marrëveshja e re raportohet të ketë një vlerë rreth 45 milionë dollarë në vit, duke sinjalizuar një ndryshim të madh në një nga elementet më ikonike të kompeticionit.
Interesant është fakti se para vitit 2001, pikërisht Nike ishte furnizuesi i topave për këtë kompeticion, megjithatë pa arritur të krijojë një dizajn kaq të qëndrueshëm dhe ikonë sa ai i Adidas.
Finalja e fundit me këtë top pritet të zhvillohet më 5 qershor 2027 në stadiumin “Metropolitano”, duke i dhënë fund një epoke që ka shoqëruar disa nga momentet më të mëdha në historinë e futbollit.
Ndërkohë, për garat e tjera europiane si Liga e Europës dhe Liga e Konferencës, topi “Kipsta” do të vazhdojë të mbetet në përdorim.

