Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka hedhur poshtë çdo dilemë rreth së ardhmes së Granit Xhakës në kombëtare, duke bërë të qartë se kapiteni nuk e ka ndërmend të tërhiqet në një të ardhme të afërt.
Në një prononcim për emisionin zviceran “Heimspiel”, Yakin u shpreh i bindur se mesfushori shqiptar do të vazhdojë të jetë pjesë e përfaqësueses helvete edhe pas Kupës së Botës.
Trajneri i Zvicrës theksoi se nuk e sheh aspak si opsion largimin e Xhakës, sidomos duke pasur parasysh gjendjen e tij fizike dhe rëndësinë që ai ka në skuadër. Ai shtoi se, për aq kohë sa Xhaka do të jetë në këtë formë, do të vazhdojë të luajë sa më gjatë që të jetë e mundur.
Yakin gjithashtu nënvizoi se objektivi i tij është që Zvicra të zhvillojë Kupën e Botës më të mirë në histori, duke e konsideruar Xhakën një prej figurave kyçe për realizimin e këtij synimi.
Pas tensioneve dhe kritikave që kishin dalë në publik në vjeshtën e vitit 2023, raporti mes trajnerit dhe kapitenit duket tashmë i stabilizuar. Madje, edhe pas Euro 2024, kur e ardhmja e Yakin ishte ende në pikëpyetje, Xhaka kishte dalë publikisht në mbështetje të tij.
Kontrata e Murat Yakin me përfaqësuesen zvicerane zgjat deri në Euro 2028, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të duket kombëtarja deri atëherë, duke pasur parasysh se disa prej lojtarëve kyç po afrohen me fazën e fundit të karrierës së tyre ndërkombëtare.
Megjithatë, në rrethana normale, Granit Xhaka, rekordmeni i Zvicrës me 144 paraqitje, pritet të mbetet edhe për një kohë të gjatë lideri i padiskutueshëm i ekipit.

