Futboll Sport Vendi

Kosova në ngritje historike në ranglistën e FIFA-s, kap pozitën më të mirë ndonjëherë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po vazhdon të shkruajë histori, duke regjistruar rritjen më të madhe të pikëve në ranglistën e re të FIFA-s. Falë rezultateve pozitive në ndeshjet e fundit, “Dardanët” kanë bërë një hap të madh përpara në renditjen botërore.

Fitoret ndaj Bullgarisë, Gjibraltarit dhe Kroacisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë ngritje, me Kosovën që ka shtuar plot 58.33 pikë – rritja më e madhe nga të gjitha përfaqësueset që nga publikimi i fundit i ranglistës në dhjetor 2025.

Aktualisht, Kosova renditet në vendin e 81-të në botë, duke u ngjitur për 11 pozita dhe duke arritur kështu renditjen më të mirë në histori. Krahasuar me vitet e kaluara, ky është një progres i dukshëm, pasi më herët pozita më e mirë kishte qenë ajo e 91-të.

Në anën tjetër, Shqipëria mban vendin e 71-të, ndërsa Kroacia – të cilën Kosova e mposhti së fundmi – ka pësuar rënie dhe tani renditet në pozitën e 66-të.

Në krye të ranglistës vazhdon të qëndrojë Spanja, e ndjekur nga SHBA-ja, Anglia, Gjermania dhe Japonia, ndërsa dhjetëshen e parë e kompletojnë Brazili, Franca, Suedia, Kanadaja dhe Holanda.

Kosova po kalon një moment të mirë edhe në aspektin konkurrues, pasi aktualisht kryeson grupin në Ligën C të kualifikimeve për Kupën e Botës. Edhe pse kualifikimi direkt nuk është i mundur nga kjo ligë, vendi i parë siguron një vend në “play-off”, si dhe ngjitjen në Ligën B.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesja e femrave po shfaq formë të mirë, duke qenë në garë për avancim në Ligën B, çka dëshmon për një rritje të përgjithshme të futbollit kosovar në të dyja konkurrencat.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së