Tifozët e “Kuqezinjve të Jakovës” kanë reaguar ashpër në prag të derbit të madh mes Vëllaznimit dhe Lirisë, që zhvillohet nesër në stadiumin “Shani Nushi” në Gjakovë.
Sipas reagimit të tyre publik, ata kanë kërkuar rreth 500 bileta për këtë përballje, duke e konsideruar këtë një kërkesë minimale krahasuar me interesimin e madh për ndeshjen. Megjithatë, nga ana tjetër theksohet se në Gjakovë zakonisht nuk kërkohen bileta, pasi stadiumi konsiderohet i hapur për të gjithë tifozët.
Aktualisht, situata në tabelë e rrit edhe më shumë tensionin e kësaj sfide. Vëllaznimi ndodhet në vendin e pestë me 58 pikë, ndërsa Liria në pozitën e tretë me 59 pikë, duke e bërë këtë duel vendimtar në garën e Ligës së Parë të Kosovës.
Në reagim, tifozët kanë kritikuar edhe kundërshtarët, duke theksuar se zakonisht udhëtojnë në numër shumë më të vogël, ndërsa kanë shtuar se interesimi për këtë ndeshje mund të kalojë edhe shifrën prej 5000 personash.
Po ashtu, ata theksojnë se tifoskena vendore ka dëshmuar vazhdimisht se mbështetja për klubin nuk lidhet me bileta, por me pasionin dhe praninë në stadium, duke shtuar se dyert e “Shani Nushit” duhet të jenë të hapura për të gjithë.
Në fund, mesazhi i tyre është i qartë: kërkesa për bileta nuk duhet të jetë pengesë për praninë e tifozëve, ndërsa organizimi dhe siguria janë të garantuara për këtë përballje të shumëpritur.

