Ndërsa e gjithë bota e futbollit ishte e fokusuar te spektakli mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, një detaj tjetër ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale: mungesa e Pep Guardiola në këtë superndeshje.
Sfida në Paris dhuroi një spektakël të rrallë dhe përfundoi me rezultatin 5-4 në favor të skuadrës franceze, në një nga gjysmëfinalet më dramatike në historinë e kompeticionit.
Teksa tifozët prisnin që trajneri i Manchester City të ishte mes emrave të njohur në tribunat e “Parc des Princes”, Guardiola u pa në një stadium krejt tjetër.
Sipas raportimeve, tekniku spanjoll ishte duke ndjekur nga afër ndeshjen e League One angleze mes Stockport County dhe Port Vale.
Pamjet e Guardiolës në tribunë janë bërë virale, me shumë tifozë që u habitën nga zgjedhja e tij, ndërsa në Paris po zhvillohej një nga ndeshjet më spektakolare të sezonit evropian.

