Një skandal i rëndë ka tronditur futbollin evropian, pasi një gjyqtar i UEFA-s është arrestuar nën dyshimet për ngacmim seksual ndaj një të mituri gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar për një ndeshje evropiane.
Sipas raportimeve të The Sun, zyrtari i arbitrimit dyshohet se ka kontaktuar fillimisht me një djalë të mitur në një hapësirë publike të hotelit dhe më pas ka tentuar ta tërheqë në dhomën e tij. Rasti u raportua nga vetë i mituri ose një mik i tij, çka çoi në nisjen e menjëhershme të hetimeve nga policia britanike.
Burime të afërta me hetimin kanë bërë të ditur se gjyqtari u arrestua sapo u kthye në hotel së bashku me delegacionin e UEFA-s, ku iu lexuan të drejtat nga policia. Më pas ai është marrë në pyetje dhe është liruar me kusht deri në përfundimin e hetimeve.
Nëse akuzat konfirmohen, zyrtari mund të përballet me ekstradim në Mbretërinë e Bashkuar për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, FIFA ka reaguar duke bërë të ditur se arbitri nuk do të përfshihet në asnjë kompeticion ndërkombëtar deri në përfundimin e hetimeve.
Edhe UEFA ka konfirmuar pezullimin e përkohshëm të tij, duke deklaruar se po e monitoron situatën me shqetësim të madh dhe se zyrtari nuk do të caktohet në asnjë ndeshje deri në zbardhjen e plotë të rastit.

