Llapi ka lëshuar pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë, pasi barazoi pa gola ndaj Dukagjinit në Podujevë, në kuadër të xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës.
Skuadra podujevase nuk arriti të shfrytëzojë terrenin vendas dhe mbeti në pozitën e tetë me 40 pikë, vetëm dy më pak se Dukagjini që renditet i shtati me 42 pikë.
Të dy skuadrat krijuan raste për shënim, por portierët mbetën të pamposhtur. Rasti më i mirë i ndeshjes u regjistrua për Dukagjinin, kur Hekuran Berisha goditi shtyllën në pjesën e parë.
Ndërkohë, Ferizaj mori vetëm një pikë në shtëpi ndaj Malishevës, duke barazuar 1:1 dhe duke komplikuar edhe më shumë situatën në fund të tabelës.
Ferizajasit kaluan në epërsi në minutën e 38-të me Ruben Silva-Richards, por Malisheva reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi rezultatin me Diatta Assane në minutën e 63-të.
Malisheva luajti me një futbollist më pak pas përjashtimit të Robert Mathieu Ndjigjit në fundin e pjesës së parë, por arriti të marrë një pikë të vlefshme në transfertë.
Pas kësaj ndeshjeje, Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 35 pikë, pesë më pak se Llapi që aktualisht ndodhet në zonën e barazhit për mbijetesë.
Në anën tjetër, Malisheva vazhdon të qëndrojë në pozitën e tretë me 53 pikë dhe është pranë sigurimit të kualifikimit për garat evropiane.

