Real Madrid mbetet një nga klubet më të pasura në botë, por raportet e fundit financiare tregojnë një situatë më delikate sesa pritej.
Klubi i drejtuar nga Florentino Pérez ka realizuar investime të mëdha vitet e fundit, por tashmë po përballet me pasojat e këtyre shpenzimeve.
Sipas të dhënave financiare, shqetësimi kryesor lidhet me rënien drastike të likuiditetit. Deri më 31 dhjetor 2025, “Los Blancos” kishin vetëm 3.4 milionë euro fonde të lira, një rënie e madhe krahasuar me 175.8 milionë euro vetëm gjashtë muaj më parë.
Ndërkohë, fitimi neto ka pësuar një goditje të fortë, duke rënë në 5.2 milionë euro – afro 80% më pak se në vitin financiar paraprak. Një nga arsyet kryesore është rritja e konsiderueshme e shpenzimeve për paga dhe staf, të cilat janë rritur me 26.2%, duke arritur në 318.9 milionë euro.
Po ashtu, të ardhurat kanë shënuar rënie, sidomos nga eventet, pasi Santiago Bernabéu nuk ka pritur koncerte gjatë 12 muajve të fundit, duke ndikuar drejtpërdrejt në arkën e klubit.
Në të njëjtën kohë, shpenzimet financiare janë rritur me 10%, ndërsa detyrimet totale kanë arritur në 1.78 miliardë euro, duke shtuar presionin mbi financat e klubit madrilen.
Megjithatë, ka edhe sinjale pozitive. Reali ka arritur marrëveshje më të favorshme me sponsorët kryesorë si Adidas dhe Emirates, të cilat pritet të rrisin të ardhurat në të ardhmen.

