Trajneri i ri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, ka hedhur poshtë çdo spekulim mbi nevojën për afrime të reja në merkato, duke theksuar se skuadra aktuale ka potencialin e plotë për të luftuar dhe fituar të gjithë trofetë.
Në konferencën për shtyp përpara përballjes së Ligës së Kampionëve ndaj Monacos, që do të zhvillohet të martën në mbrëmje, tekniku spanjoll u shfaq i qetë dhe i bindur për forcën e ekipit të tij.
“Skuadra po luan mirë, është shumë e motivuar dhe në një gjendje pozitive pas fitores së së shtunës”, u shpreh Arbeloa, duke nënvizuar atmosferën e mirë brenda grupit.
Ai e cilësoi ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve si shumë të rëndësishme për objektivat e sezonit. “Jemi plotësisht të përqendruar te sfida e nesërme. Është një kompeticion jetik për ne dhe një fitore do të na afronte shumë më tepër me qëllimet tona. Duam të zhvillojmë një ndeshje të shkëlqyer dhe t’u dhurojmë tifozëve tanë një fitore”, shtoi ai.
I pyetur për përforcime të mundshme, Arbeloa ishte i drejtpërdrejtë: “Që nga dita e parë kam thënë se kam një skuadër të jashtëzakonshme. Jam shumë me fat dhe nuk kemi nevojë të përforcohemi”.
Sipas tij, ditët e para në krye të ekipit vetëm sa e kanë forcuar këtë bindje.
“Pas këtyre gjashtë ditëve kam kuptuar se lojtarët janë edhe më të mirë nga sa mendoja. Kam ardhur këtu për të luftuar për të gjithë titujt, si La Liga ashtu edhe Liga e Kampionëve. Ky është objektivi ynë dhe do të japim gjithçka për ta arritur”.
Në fund, trajneri madrilen pati edhe një mesazh për tifozët, duke theksuar rolin vendimtar të tyre, veçanërisht në “Santiago Bernabéu”.
“Mbështetja e tifozëve është jetike për ne. Pa ta, shanset tona janë shumë më të vogla. Rikthimet historike të Real Madridit janë ndërtuar mbi atmosferën e jashtëzakonshme të Bernabeut. Është detyra jonë t’u rikthejmë atyre gëzimin”, përfundoi Arbeloa.

