Sulmuesi shqiptar Arbër Hoxha ka rrëfyer emocionet dhe përvojën e tij te Dinamo Zagrebi në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit kroat, duke e cilësuar transferimin si momentin më të rëndësishëm të karrierës.
27-vjeçari theksoi se ardhja te gjiganti kroat ishte realizimi i një ëndrre:
“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime. Është një klub i madh, me tifozë të mrekullueshëm dhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme.”

Në pjesën e parë të sezonit, Hoxha ka qenë protagonist për Dinamon, duke shënuar gola të rëndësishëm, mes tyre edhe atë ndaj Rijekës:
“Goli kundër Rijekës ishte shumë i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe na siguroi tri pikë. Janë momente që nuk harrohen.”
Deri më tani, sulmuesi i krahut ka regjistruar 6 gola dhe 3 asistime në 17 ndeshje në elitën e futbollit kroat, ndërsa ka vlerësuar edhe atmosferën në stadium: “Kur sheh tifozët duke kërcyer dhe duke kënduar, është një ndjenjë e jashtëzakonshme.
” Objektivi: titulli kampion Pavarësisht paraqitjeve të mira personale, Hoxha thekson se fokusi mbetet te suksesi i skuadrës: “Gjëja më e rëndësishme është të jemi të parët në kampionat dhe ta rikthejmë titullin në Zagreb. Ky është prioriteti i klubit.”
Arbër Hoxha iu bashkua Dinamo Zagrebit në vitin 2024, pas transferimit nga Slaven Belupo. Më herët ai ka luajtur edhe për Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa në Kosovë ka qenë pjesë e Ballkanit, Besës, Istogut dhe Prishtinës.
Ai foli gjithashtu për përvojën me Kombëtaren shqiptare, duke veçuar ndeshjen ndaj Kroacisë në Euro 2024 në Hamburg: “Ishte një ndeshje e çmendur, me stadiumin të ndarë mes tifozëve kroatë dhe shqiptarë. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme.”

Deri tani, Hoxha ka zhvilluar 21 ndeshje dhe ka shënuar një gol për Shqipërinë, ndërsa më parë ka regjistruar edhe 3 paraqitje me Kosovën.

