Carlo Ancelotti ka vendosur rregulla të qarta për rikthimin e Neymar në Kombëtaren e Brazilit për Kupën e Botës 2026. Sipas raportimeve nga mediat braziliane, tekniku italian zhvilloi një bisedë direkte me sulmuesin e Santos vetëm pak ditë para publikimit të listës së grumbulluarve, për të sqaruar rolin dhe kushtet që do të vlejnë në epokën e re të “Seleçaos”.
Ancelotti, i cili nisi aventurën e tij në stolin e Brazilit me objektivin për ta rikthyer skuadrën në majën e futbollit botëror, kërkoi nga Neymar një angazhim total dhe një ndryshim të qartë në qasje. Trajneri italian zhvilloi videotelefonatën së bashku me drejtorin sportiv Rodrigo Caetano, ndërsa diskutimi kishte për qëllim të largonte çdo dyshim rreth rikthimit të yllit brazilian.
Sipas raportit, Ancelotti i bëri të qartë Neymarit se nuk do të kishte më privilegje speciale në ekip. Sulmuesi nuk do të jetë më kapiten i kombëtares dhe as vendi i titullarit nuk do t’i garantohet automatikisht. Italiani kërkon një Brazil më të disiplinuar dhe me rregulla të njëjta për çdo futbollist, pavarësisht statusit apo famës.
Një tjetër kërkesë lidhej me jetën jashtë fushe dhe menaxhimin e imazhit publik. Ancelotti i kërkoi Neymarit të ulë ekspozimin në rrjetet sociale dhe të fokusohet maksimalisht te futbolli, në një periudhë ku sulmuesi ka qenë shpesh në qendër të kritikave për aktivitetet jashtë sportit.
Megjithatë, raportimet tregojnë se Neymar e priti pozitivisht mesazhin e trajnerit italian dhe shprehu gatishmërinë për të bërë gjithçka për të ndihmuar Brazilin në Kupën e Botës. Rikthimi i tij shihet si një nga temat më të mëdha për “Seleçaon”, ndërsa Ancelotti synon të ndërtojë një skuadër më të fortë dhe më të ekuilibruar për Botërorin 2026.

