Sigurimi i minutave të rregullta te Manchester City mbetet një mision tepër i vështirë për çdo lojtar, dhe si pasojë, çdo sezon ka futbollistë që shfaqin pakënaqësi për hapësirat e kufizuara. Gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pas afrimeve të reja në skuadër, konkurrenca është rritur edhe më shumë, veçanërisht në repartin ofensiv.
Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e Diego Simeones është sulmuesi i Cityt, Omar Marmoush. Trajneri argjentinas po këmbëngul që Atletico Madrid të bëjë një ofertë konkrete për përfaqësuesin egjiptian, duke e parë atë si një zgjidhje ideale për të rritur efektivitetin ofensiv të “Los Colchoneros”.
Marmoush e ka pasur të vështirë të sigurojë një rol të rëndësishëm nën drejtimin e Pep Guardiolës, pavarësisht pritshmërive të mëdha me të cilat u transferua në “Etihad Stadium”. Roli i kufizuar i tij ka bindur Atleticon se ekziston hapësira për të negociuar një largim të përkohshëm.
Sipas Fichajes, klubi madrilen po shqyrton një huazim me opsion blerjeje prej 55 milionë eurosh, si dhe 15 milionë euro bonuse, çka do ta çonte vlerën totale të marrëveshjes shumë pranë shumës që Manchester City investoi për transferimin e Marmoushit vitin e kaluar, rreth 75 milionë euro.
Megjithatë, Atletico Madrid nuk është i vetmi klub që ndjek nga afër situatën e sulmuesit, pasi interes për të kanë shfaqur edhe Tottenham Hotspur dhe Aston Villa, duke e bërë garën për shërbimet e tij edhe më interesante.

