Brikena dhe Mateo kanë zbuluar më shumë detaje nga historia e tyre e njohjes, e cila daton rreth katër vite më parë, duke sqaruar publikisht versionet e tyre për ngjarjet që çuan në shkëputjen e kontaktit mes tyre.
Sipas Mateos, arsyeja kryesore pse ata nuk vazhduan të flisnin ishte ndërhyrja e familjarëve të Brikenës. Ai ka treguar se gjatë kohës kur kishte shkuar në Prishtinë për ta takuar, familjarët i kishin prerë rrugën dhe nuk e kishin lejuar të takohej me të.
Nga ana tjetër, Brikena ka shpjeguar se takimi i tyre i atëhershëm kishte mbetur i mbyllur që prej katër vitesh dhe se, pas hyrjes së Mateos në lojë, ajo u ndje e zhgënjyer nga mënyra se si ai e kishte trajtuar këtë temë në diskutime me banorët e tjerë. Sipas saj, Mateo kishte dhënë detaje me të cilat ajo nuk ishte dakord, gjë që e kishte bërë të ndihej e mashtruar dhe e lënduar emocionalisht.
Ajo theksoi se nominimi i tij nuk kishte qenë hakmarrje, duke nënvizuar se ka respekt për Mateon dhe se nuk ka pasur qëllim ta ulë apo ta dëmtojë. Brikena shtoi se mes tyre nuk ka pasur përputhje, nuk ka pasur lidhje të thellë emocionale dhe se gjithçka kishte përfunduar natyrshëm, pa ndonjë vazhdim. Sipas saj, takimi i tyre nuk kishte shkuar më tej dhe ajo dyshon se Mateo mund ta përdorë këtë histori si pjesë të lojës.
Ndërkohë, Mateo ka deklaruar se nuk e kishte pritur reagimin e Brikenës në këtë formë. Ai u shpreh se ka dashur t’i lërë asaj hapësirën për të treguar versionin e saj dhe se mes tyre nuk kishte ndodhur asgjë negative. Sipas tij, njohja kishte nisur përmes Instagramit, kishte pasur pëlqim nga të dyja anët dhe gjatë takimit në Prishtinë kishte pasur edhe puthje.
Mateo rrëfeu se ditën pas takimit, gjatë përpjekjeve për ta parë sërish Brikenën, ishte përballur me familjarët e saj, të cilët e kishin ndaluar dhe e kishin vënë në një situatë të vështirë. Ai tregoi se kishte folur edhe me babanë e Brikenës në telefon dhe se i ishte kërkuar ta ndalonte këtë njohje. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për t’u takuar, ai u shpreh se u ndje i vendosur përballë një përgjegjësie që nuk mund ta mbante dhe se, për këtë arsye, vendosën të ndalonin së komunikuari.
Të dy palët theksuan se pas kësaj periudhe kanë folur edhe për pak kohë, por përfundimisht kanë vendosur ta lënë gjithçka në të kaluarën, duke pranuar se nuk kishte përputhje të mjaftueshme për të vazhduar më tej.

