Interesi i FC Barcelona për talentin e Kosova, Fisnik Asllani, është konkret dhe në zhvillim, sipas deklaratave të fundit nga përfaqësuesi i lojtarit.
Agjenti i sulmuesit, Ayman Dahmani, ka zbuluar se ka pasur kontakte direkte me klubin katalanas në lidhje me një transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të verës, duke konfirmuar se interesimi është real dhe serioz.
“Interesi i Barcelonës për lojtarin është real në këtë moment dhe ka pasur kontakte nga ana e klubit katalanas,” është shprehur Dahmani, duke lënë të hapur mundësinë e një lëvizjeje të rëndësishme për karrierën e sulmuesit.

Megjithatë, një transferim i mundshëm nuk pritet të jetë i lehtë. TSG Hoffenheim, klubi aktual i Asllanit, nuk pritet të negociojë nën vlerën e klauzolës së lirimit, e cila sipas raportimeve të mediave varion mes 25 dhe 29 milionë euro.
Performancat në rritje të Fisnik Asllani kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane, por interesimi i Barcelones e vendos atë në një tjetër nivel, duke e kthyer në një nga emrat më të përfolur të merkatos së ardhshme.

Nëse një marrëveshje konkretizohet, ky do të ishte një hap i madh për sulmuesin kosovar, i cili mund të bëhej pjesë e një prej klubeve më prestigjioze në botë.

