Manchester City ka triumfuar në derbin e madh ndaj Arsenalit, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për titull në Premier League. Skuadra e Pep Guardiolës doli fituese në një përballje të fortë, duke e bërë luftën për kreun edhe më dramatike në javët e fundit të sezonit.
City kaloi në epërsi në minutën e 16-të me golin e Cherkit, por reagimi i Arsenalit ishte i menjëhershëm, me Kai Havertz që barazoi vetëm dy minuta më vonë. Ritmi i lartë dhe tensioni vazhduan gjatë gjithë ndeshjes, derisa momenti vendimtar erdhi në minutën e 65-të, kur Erling Haaland realizoi golin e fitores për “qytetarët”.
Pas javës së 33-të, Arsenali mbetet në krye të tabelës me 70 pikë, por me vetëm tri pikë më shumë dhe një ndeshje më shumë se Manchester City, që e ndjek nga pozita e dytë. Kjo situatë e vendos ekipin e Mikel Artetës nën presion të madh, ndërsa City mbetet kërcënimi kryesor në pesë javët e fundit të kampionatit.
Gara për titull në Angli hyn kështu në fazën vendimtare, me çdo pikë që mund të bëjë diferencën mes dy rivalëve të mëdhenj.

