Sulmuesi shqiptar, Mirlind Daku, po vazhdon të tërheqë vëmendjen në futbollin rus, teksa së fundmi është vlerësuar maksimalisht nga brenda skuadrës së Rubin Kazanit.
Mbrojtësi i ekipit, Ilya Rozhkov, ka theksuar se Daku është aktualisht sulmuesi më i mirë në elitën e futbollit rus, duke nënvizuar ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në rezultatet e skuadrës.
Sipas tij, performanca e ekipit lidhet ngushtë me formën e Dakut, duke shtuar se në momentet kur ai është në nivel të lartë, edhe skuadra funksionon më mirë në tërësi.
Rozhkov ka shprehur besimin se sulmuesi shqiptar do të jetë vendimtar në vazhdim të sezonit, duke e cilësuar lider në repartin ofensiv dhe një nga elementët kyç të ekipit.
Ndërkohë, Daku është rikthyer së fundmi nga një lëndim që e mbajti jashtë fushave për disa muaj. Para këtij problemi fizik, ai kishte arritur të realizonte nëntë gola me fanellën e Rubin Kazanit, duke konfirmuar formën e tij të mirë.

