Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar dominimin ndaj Bullgarisë, duke shënuar fitore të rëndësishme 3:1 në Sofje, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Ndeshja nisi me epërsi të vendasve, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 9-të me golin e Aleksandra Yaneva. Megjithatë, reagimi i Kosovës ishte i menjëhershëm.
Në minutën e 15-të, kapitenia Erëleta Memeti mori përgjegjësinë nga goditja e këndit dhe realizoi direkt në portë për të barazuar rezultatin në 1:1.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 21-të, mbrojtësja Blerta Smajli shënoi me kokë pas një aksioni të bukur, duke kaluar Kosovën në epërsi 2:1.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa dominimi i “Dardaneve” vazhdoi edhe në pjesën e dytë.
Në minutën e 89-të, pas një tollovie në zonë, Albulena Fejza realizoi për 3:1, duke vulosur fitoren e Kosovës.
Statistikat e ndeshjes dëshmojnë qartë epërsinë e Kosovës, me 13 raste të krijuara për gol kundrejt vetëm tri të Bullgarisë, si dhe dominim në goditjet drejt portës.
Me këtë fitore, Kosova ka forcuar pozitën në krye të Grupit C1 dhe vazhdon me hap të sigurt drejt objektivit për të siguruar vendin e parë, që garanton pjesëmarrjen në play off.
“Dardanet” mbeten në formë të shkëlqyer, duke regjistruar maksimumin e pikëve në këtë fazë të garës dhe duke dhënë sinjale të forta për vazhdimësinë e suksesshme.

