Federata e Boksit e Kosovës ka kurorëzuar Donjeta Sadikun dhe Shpëtim Bajokun si sportistët më të dalluar të vitit 2025, në një ceremoni solemne të organizuar për ndarjen e çmimeve vjetore. Dy boksierët u vlerësuan për paraqitjet e tyre të shkëlqyera dhe kontributin e dhënë në ngritjen e nivelit të boksit kosovar gjatë vitit që lamë pas.
Përveç dy çmimeve kryesore, Federata ndau mirënjohje edhe për figura të tjera që kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e këtij sporti:
- Trajnerja më e mirë e vitit: Marjola Sallauka
- Gjyqtari më i mirë për kontribut ndërkombëtar: Latif Demolli
- Gjyqtari më i mirë për kontribut vendor: Granit Qorri
- Punëtori më i dalluar: Halil Kurhasku
- Klubi më aktiv i vitit: K.B. “Gjakova 137” – Gjakovë

Përzgjedhja e laureatëve u bë nga një komision i përbërë nga Shkelzen Sopjani, Sefedin Braha, Halil Kurhasku, Agim Tahiraj dhe Faton Xhakli, të cilët vlerësuan arritjet dhe kontributin e secilit në kuadër të vitit 2025. Po ashtu, gjatë ceremonisë u ndanë edhe shumë çmime të tjera për kategoritë e reja, si dhe u dhanë mirënjohje post mortum, duke nderuar figura që kanë lënë gjurmë në historinë e boksit kosovar.
Ceremonia shërbeu si një moment vlerësimi për punën, përkushtimin dhe sukseset e komunitetit të boksit në Kosovë, duke theksuar rolin e sportistëve dhe profesionistëve që po e çojnë përpara këtë sport në arenën vendore dhe ndërkombëtare.

