Pierluigi Collina, president i Komitetit të Gjyqtarëve të FIFA-s, ka hedhur një ide të re që mund të sjellë një ndryshim të madh në mënyrën se si ekzekutohen penalltitë gjatë kohës së rregullt të ndeshjeve.
Sipas tij, aktualisht ekziston një diferencë shumë e madhe mes avantazhit që ka gjuajtësi krahasuar me portierin. “Mesatarisht, rreth 75% e penalltive përfundojnë me gol. Për më tepër, edhe në rast se portieri e pret ose topi godet shtyllën, ekziston mundësia e vazhdimit të aksionit”, theksoi Collina.
Si zgjidhje, ai propozoi aplikimin e rregullit të një goditjeje të vetme, të ngjashëm me atë që përdoret në gjuajtjet e penalltive pas kohës shtesë. Kjo do të nënkuptonte se, nëse topi pritet nga portieri ose kthehet nga shtylla, aksioni nuk do të vazhdonte më. Ose shënohet gol, ose loja rifillon me rivënie fundore.

Sipas Collinës, kjo do të sillte më shumë drejtësi për portierët dhe njëkohësisht do të eliminonte edhe skenat e zakonshme para ekzekutimit të penalltisë, kur shumë lojtarë grumbullohen në kufijtë e zonës. Ai e krahasoi këtë situatë me “kuajt në portën hapëse para nisjes së një gare”.
Ndryshimet në rregullat e futbollit, në fakt, kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të shpeshta,pothuajse çdo vit, apo para çdo gare të madhe, shfaqen propozime të reja dhe jo rrallëherë miratohen edhe rregulla të reja, duke treguar se loja po evoluon vazhdimisht

