Borussia Dortmund ka prodhuar një nga përmbysjet më dramatike të sezonit, duke mposhtur 3-2 Hamburger SV pas një ndeshjeje ku ishte në disavantazh të dyfishtë.
Skuadra e drejtuar nga Niko Kovač vuajti gjatë pjesës së parë, duke u ndëshkuar nga një Hamburg efikas që shfrytëzoi rastet e krijuara. Philip Otele hapi serinë e golave, ndërsa Albert Sambi Lokonga dyfishoi epërsinë, duke tronditur “Signal Iduna Park”.
Dortmundi kishte mundësinë të rikthehej në lojë para pushimit, por Felix Nmecha humbi një penallti, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për vendasit.
Megjithatë, reagimi erdhi në pjesën e dytë. Presioni i vazhdueshëm i verdhezinjve u konkretizua fillimisht nga Ramy Bensebaini, i cili shënoi nga pika e bardhë. Vetëm pak minuta më vonë, Fábio Silva riktheu baraspeshën, duke ndezur shpresat për një përmbysje të plotë.

Drama arriti kulmin në minutat e fundit, kur sërish Bensebaini u tregua i saktë nga penalltia, duke vulosur rikthimin e madh dhe duke i dhënë Dortmundit tri pikë të çmuara.
Me këtë fitore, Dortmundi konsolidon vendin e dytë në tabelë, edhe pse mbetet në ndjekje të Bayern Munich, që vazhdon të kryesojë me diferencë të konsiderueshme pikësh.


