Dion Gallapeni ka dhënë një paraqitje mbresëlënëse në kampionatin polak, duke qenë protagonist në fitoren e Wisla Plock ndaj Jagiellonia.
Mbrojtësi i majtë 21-vjeçar, i cili është në huazim nga Widzew Lodz, ishte vendimtar me dy asistime në pjesën e parë, duke udhëhequr përmbysjen e skuadrës së tij ndaj ekipit që deri në këtë javë kryesonte renditjen.
Pasi Jagiellonia kaloi në avantazh herët në ndeshje, reagimi i Wisla Plock erdhi shpejt dhe mbajti firmën e Gallapenit. Fillimisht, ai asistoi për golin e barazimit të shënuar nga Deni Jurić, përpara se të shërbente sërish për të njëjtin lojtar në golin e dytë, duke përmbysur plotësisht rezultatin brenda pjesës së parë.

Tre golat e ndeshjes u shënuan brenda 45 minutave të para, ndërsa në vazhdim Wisla Plock administroi avantazhin për të siguruar një fitore me peshë të madhe në garën për kreun.
Kjo ishte vetëm paraqitja e dytë e Gallapenit me skuadrën e tij të re, por ndikimi i tij ka qenë i menjëhershëm. Performanca e tij u vlerësua lart, duke konfirmuar rikthimin në formë në një moment kyç të sezonit.
Me këtë fitore, Wisla Plock ngjitet në vendin e katërt me 39 pikë, pozicion që siguron pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Në të njëjtën kohë, Jagiellonia humbet kreun, ndërsa gara për titull bëhet edhe më e fortë.

Paraqitja e Gallapenit vjen në një moment ideal edhe për Kosova, pasi mbrojtësi është pjesë e listës për ndeshjen vendimtare ndaj Sllovakia në “play-off”-in e Botërorit 2026, duke dërguar një mesazh të qartë për formën e tij në prag të këtij dueli.

