Java e 30-të e Superligës së Kosovës ka ngushtuar edhe më shumë garën për titull dhe për Evropë.
Drita ka shënuar fitore bindëse ndaj Llapit me rezultat 3:0 dhe vazhdon të mbetet lidere e kampionatit me 57 pikë. Gjilanasit dominuan takimin ndaj llapjanëve, ndërsa golat u realizuan nga Besnik Krasniqi në minutën e 29-të, Abdul Dante në minutën e 47-të dhe Veton Tusha në minutën e 63-të.
Fitore të rëndësishme ka marrë edhe Ballkani, që në Suharekë mposhti Ferizajn me rezultat të njëjtë 3:0 për të mbetur në garë për titull. Giovanni shënoi në minutën e 22-të, Valentin Serebe realizoi për 2:0 në minutën e 80-të, ndërsa Diar Vokrri vulosi fitoren në minutën e 88-të.
Në garën për Evropë, Malisheva triumfoi dramatikisht ndaj Dukagjinit me golin e Xhemal Ibishit në minutën e 93-të, duke fituar 1:0 dhe duke u ngjitur në vendin e tretë me 46 pikë.
Pas barazimit 1:1 ndaj Gjilanit, Prishtina zbret në vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Gjilani mbetet i pesti me 44 pikë.
Pas kësaj xhiroje, Drita kryeson me 57 pikë, Ballkani ka 52, Malisheva 46, Prishtina 45 dhe Gjilani 44, duke paralajmëruar një fund sezoni shumë dramatik në elitën e futbollit kosovar.

