Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka shprehur zyrtarisht ambicien për të organizuar finalen e Superkupës së Europës në vitin 2028.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka konfirmuar se Shqipëria është në mesin e vendeve që po lobojnë për të fituar të drejtën e organizimit të këtij eventi prestigjioz të UEFA-s.
Duka ka theksuar se pas organizimit të Kampionatit Evropian U-21 në vitin 2027, Shqipëria synon një tjetër ngjarje të madhe ndërkombëtare.
“Aktiviteti më i rëndësishëm që ne do kemi është Europiani për 21-vjeçarët në vitin 2027 që do bëhet në Shqipëri… Ajo që nuk e dimë dhe që ne lobojmë për ta pasur në Shqipëri është finalja e Superkupës së Europës në vitin 2028,” është shprehur ai.
Nëse kandidatura do të jetë e suksesshme, kjo do të ishte hera e dytë që Shqipëria organizon një finale të klubeve evropiane, pas finales së Ligës së Konferencës në vitin 2022 në “Air Albania”, ku AS Roma mposhti Feyenoord.
Organizimi i Superkupës së Europës do të përbënte një tjetër hap të madh për futbollin shqiptar dhe infrastrukturën sportive në vend.

