Sezoni i jashtëzakonshëm i Arsenal është kurorëzuar me një tjetër vlerësim të madh individual për trajnerin e tyre, Mikel Arteta, i cili është shpallur zyrtarisht trajneri më i mirë i sezonit në Premier League.
Suksesi vjen pas një edicioni historik, ku Arsenali arriti të rikthejë titullin kampion në Angli pas 22 vitesh pritjeje, duke mbyllur një periudhë të gjatë dominimi të rivalëve tradicionalë.
Arteta, i konsideruar si arkitekti i transformimit të “Topçinjve”, ka ndërtuar një skuadër me ekuilibër të lartë, disiplinë taktike dhe mentalitet fitues, që dominoi kampionatin anglez nga fillimi deri në fund.
Arsenali u dallua veçanërisht në aspektin defensiv, duke pësuar vetëm 27 gola gjatë gjithë sezonit dhe duke mbajtur portën e paprekur në 19 ndeshje. Në sulm, londinezët shënuan 71 gola, duke u renditur ndër skuadrat më të forta në Europë.
Ky është gjithashtu trofeu i parë i madh individual për Artetën në karrierën e tij si trajner, një vlerësim që vjen pas viteve pune të vazhdueshme dhe tri sezoneve radhazi në garë për titull.
Arteta ka hyrë edhe në histori si trajneri i parë që fiton kampionatin me klubin ku ka luajtur më parë si futbollist.
Sezoni i Arsenalit mund të bëhet edhe më i madh, pasi më 30 maj në Budapest, skuadra londineze do të përballet me Paris Saint-Germain në finalen e Champions League, ku synon të kompletojë sezonin perfekt me trofeun më të rëndësishëm europian.

