E ardhmja e Cristiano Ronaldos te Al-Nassr mund të jetë drejt fundit. Sipas raportimeve të mediave angleze, ylli portugez po shqyrton seriozisht mundësinë e një rikthimi sensacional te Manchester United, klubi ku ka shkruar faqet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Burime pranë zhvillimeve bëjnë të ditur se 40-vjeçari ka nisur kontakte paraprake me drejtuesit e klubit nga “Old Trafford”, duke shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer, madje edhe me një ulje të ndjeshme të pagës, nëse palët gjejnë gjuhë të përbashkët.
Megjithëse largimi i tij nga Manchester United në dhjetor të vitit 2022 ishte i tensionuar, Ronaldo besohet se e ka konsideruar atë periudhë si një konflikt të lidhur kryesisht me ish-trajnerin Erik ten Hag, dhe jo me vetë klubin. Një ndryshim i rrethanave në stafin drejtues shihet si faktor kyç që ka rihapur derën për një rikthim të mundshëm.
Nëse marrëveshja konkretizohet, kjo do të ishte hera e tretë që Cristiano Ronaldo do të vishte fanellën e “Djajve të Kuq”, pas dy periudhave të mëparshme në vitet 2003–2009 dhe 2021–2022.
Gjatë epokës së Sir Alex Ferguson, Ronaldo arriti kulmin e karrierës së tij, duke fituar tituj të shumtë në nivel klubesh dhe duke ndërtuar themelet e suksesit individual, që më pas e çuan drejt pesë çmimeve “Topi i Artë”.
Për momentin, as Manchester United dhe as përfaqësuesit e lojtarit nuk kanë reaguar zyrtarisht, ndërsa zhvillimet pritet të qartësohen në ditët në vijim.

